Lajme

Kontrollohet shtëpia e Ervis Martinajt

Sot gjatë mëngjesit të së hënës, është kontrolluar shtëpia e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe të Kurbinit nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Shqipëri.

Kontrolla është kryer me urdhër të Prokurorisë së Posaçme “SPAK” në funksion të dosjës hetimore ‘plumbi i artë’.

Martinaj rezulton i zhdukur që shumë kohë dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij deri më tani.

Zhdukja e bosit të lojërave të fatit ndodhi pas dëshmisë së bujshme të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani në kuadër të operacioni “Plumbi i Artë”, ndërsa Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK.

Arrestimi i vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani nxori në dritë kërcënime serioze që i kanoseshin Indrit Dokles. Sipas Dumanit, Ervis Martinaj i kishte premtuar 500 mijë euro nëse ai do të eliminonte Indrit Doklen.

Pas publikimit të dëshmisë së Dumanit, në vend ndodhën krime ku u eliminuan njerëz të Martinajt, përfshi dhe kushëririn e tij, Brilant Martinaj,  kur ndër të dyshuarit ishte edhe Indrit Dokle, por që për të policia nuk ka ende prova.

Ervis Martinaj është një prej personave më të njohur të botës së krimit në vend, i cilësuar një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, raporton Tch.

Efektivi i policisë, Jeton Lami është lënë në burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi u zbulua se ai kishte ndihmuar Martinajn.

Martinaj është parë në shoqërinë Lamit, para se të zhdukej. Ai akuzohet për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda që kanë tronditur Shqipërinë.

/Shqip.com