Lajme

Kontrollohen disa barnatore në Pejë, zbulohen ilaçe pa banderola

Pamje të publikuara nga Policia e Kosovës

Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës, sot ka zhvilluar një operacion në rajonin e Pejës ku janë kontrolluar 10 barnatore për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola, dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë të kontrabanduara dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Sipas organeve të rendit, në gjashtë prej tyre është gjetur sasi e konsiderueshme e produkteve farmaceutike pa banderola.

Njërit prej këtyre bizneseve, i cili ka tre barnatore, i është lëshuar edhe vendimi nga inspektorati farmaceutik për mbyllje të biznesit pasi ka qenë duke punuar pa farmacist përgjegjës.

Të tre pronarë të barnatoreve të lartëcekura janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, e më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

/Shqip.com