Lajme Ballkan

Konstatohet dorëheqja e Zoran Zaevit

Kryeministri i deritanishëm i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut konstatoi të enjten dorëheqjen e Zoran Zaevit.

Dorëheqja e kryeministrit tërheq edhe dorëheqjen e gjithë Qeverisë, me çka tani fillon edhe afati kushtetues për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Me këtë u pamundësua edhe mbajtja e seancës për pyetjet e deputetëve.

Zaev dha dorëheqjen pas katër vjet e gjysmë në krye të qeverisë, pasi partia e tij nuk shënoi rezultate të mira në raundin e dytë të zgjedhjeve komunale në Maqedoninë Veriore.

Ai vetë e vlerësoi si humbje të madhe rezultatin në këto zgjedhje, me ç’rast u lirua nga pozita e kryeministrit të vendit dhe e kryetarit të partisë. 

Me dorëheqjen e Zaevit si i pari i LSDM-së, në vend të tij u zgjodh Dimitar Kovaçevski./SHQIP.com