Lajme

Konjufca zhvilloi takime me drejtues të APKE-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitës zyrtare në Strasburg, ka zhvilluar takime me drejtues të Asamble​së Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) dhe delegacione të ndryshme pjesëmarrëse në punimet e kësaj asambleje. 

Në fillim të agjendës së tij kryetari Konjufca zhvilloi takime me Grupin Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve (ALDE) dhe Kryesuesin e ALDE-së për Evropën, Lulian Bulai.

Kreu i Kuvendit u prit gjithashtu në një takim të veçantë nga Presidenti i APKE-së, Tiny Kox dhe Sekretarja e Përgjithshme të APKE-së, Despina Chatzivassiliou.

Po ashtu, kryetari Konjufca zhvilloi takime me Kryesuesin e Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut, Damien Cottier, ministrin e Punëve të Jashtme të Letonisë, Edgars Rinkevics, si dhe me Delegacionin Parlamentar të Turqisë në APKE, të kryesuar nga Ahmet Yildiz. 

“Në këto takime u diskutua lidhur me zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës e të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj”, thuhet në njoftimin për media.

Në fokus të diskutimeve ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, për të cilin kryetari Glauk Konjufca kërkoi mbështetjen e të gjithë faktorëve vendimmarrës, në mënyrë që edhe qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtat që mundëson ky anëtarësim.

Kryetari Konjufca foli po ashtu për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe hapat konkretë që vendi ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit euro-atlantik, i cili, siç tha kryetari Konjufca, mbetet një objektiv i fortë strategjik i Kosovës.

Në disa prej takimeve kryetari Konjufca shoqërohej nga anëtarë të delegacionit të Kuvendit në APKE, të cilët po qëndrojnë në Strasburg në kuadër të sesionit të pjesës së qershorit të kësaj asambleje.

Vizita e kryetarit Konjufca vazhdon me takime të tjera me udhëheqës të delegacioneve pjesëmarrëse dhe grupe politike të APKE-së.

/Shqip.com