Lajme

Konjufca tregon arsyet e humbjes së LVV-së në zgjedhje lokale

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se arsyeja pse Lëvizja Vetëvendosje ka humbur në zgjedhjet lokale është se ka “mungesë të zhvillimit të politikave lokale”, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, ky ishte rezultat i papritur për LVV-në, duke thënë se prej themelimit të saj, ky subjekt politik është marrë me tema nacionale.

“Në zgjedhjet lokale Lëvizja Vetëvendosje doli me një rezultat të papritur, projeksionet tona ishin se do të fitojmë shumë më shumë komuna, por nuk doli ashtu. Unë mendoj që arsyeja kryesore ka të bëjë me mungesën që e ka Vetëvendosja në zhvillimin e politikave lokale. Mendoj që ky është faktori kryesor i një rezultati të tillë.

Vetëvendosja prej kur është themelu është marrë me tema nacionale prej planit të Ahtisarit, prezenca e UNMIK-ut, dialogu problematik me Serbinë, pastaj korrupsioni dhe drejtësia në Kosovë dhe luftimi i krimit të organizuar. Këto janë disa tema të nivelit nacional dhe figurat kryesore të Vetëvendosjes, prej Albinit dhe të gjithë të tjerët më shumë kanë qenë të fokusuar në Prishtinë dhe në nivel nacional”, tha Konjufca në T7.

Tutje, Konjufca deklaroi se fituese të këtyre zgjedhjeve lokale janë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kurse LVV thotë se ka mbetur e dyta.

Ndryshe, më 17 tetor është mbajtur raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, ku LVV nuk e ka fituar asnjë komunë.

Kurse, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 15 nëntor, LVV ka fituar në katër komuna, Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe Shtime./SHQIP.com