Lajme

Konjufca takon senatoren amerikane Joni Ernst, flasin për stabilitetin në rajon

Kryekuvendari Konjufca pret në takim Senatoren Republikane të SHBA-së, Joni Ernst

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk konjufca, ka pritur sot në takim Senatoren Republikane nga Iowa, Joni Ernst, njëhrtësh edhe veteran e ushtrisë amerikane, njofton Shqip.com.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media të lëshuar nga Zyra e Kryekuvendarit, Senatorja Ernst ka uruar Konjufcën për marrjen e detyrës së re dhe ka shprehur përkrahjen e SHBA-së për Republikën e Kosovës.

“Me këtë rast, kryekuvendari Konjufca shprehu falënderime dhe konsideratë të lartë për kontributin e ShBA-ve dhe të Senatores Ernst, si përkrahëse e fuqishme e Kosovës, veçanërisht për transformimin e FSK-së në një forcë të mbrojtjes territoriale të ndërveprueshme”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Më tej bëhet e ditur se Konjufca rikonfirmoi po ashtu gatishmërinë për forcimin e miqësisë së palëkundur dhe partneritetit ndërmjet vendeve tona, duke theksuar se roli i SHBA-ve është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në rajon dhe në botë.

Në këtë takim, Senatorja Ernst shoqërohej nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, Pete McAleer, Ambasadori Amerikan, Philip Kosnett, Atasheu ushtarak i ShBA-ve në Kosovë, Kolonel Stephen Rose, dhe Amy Carnie, Shefe e sektorit politik/ekonomik në Ambasadën Amerikane. /Shqip.com