Konjufca takohet me ambasadorin e ri jorezident të Norvegjisë, flasin për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim ambasadorin e ri jorezident të Mbretërisë së Norvegjisë për Republikën e Kosovës, Andreas Gaarder.
Gjatë këtij takimi u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, intensifikimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, vazhdimin e mbështetjes së shtetit norvegjez për Kosovën në rrugën integruese euroatlantike, si dhe u shkëmbyen pikëpamje lidhur me zhvillimet në vend e rajon.
Më pas Konjufca i uroi suksese ambasadorit Gaarder në detyrën e re, teksa vlerësoi lart marrëdhëniet mes dy shteteve,
Ai po ashtu shfaqi shpresën se gjatë mandatit të ambasadorit Gaarder do të forcohen dhe intensifikohen edhe më tej raportet e dyanshme.
“Me këtë rast, kryetari i Kuvendit i shprehu mirënjohje ambasadorit norvegjez për mbështetjen që Norvegjia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës në shumë fusha, përfshirë anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.
Në anën tjetër, Gaarderi falënderoi Konjufcën për pritjen, ndërsa konfirmoi gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në sfera me interes të përbashkët ndërmjet Norvegjisë dhe Republikës së Kosovës.
/Shqip.com