Lajme

Konjufca: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka vendosur lule në Kompleksin Memorial në

Rezallë të Skenderajt, për të përkujtuar 98 shqiptarët e vrarë nga forcat pushtuese serbe, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, 23 vjet më parë.

Konjufca ka akuzuar Serbinë se ka kryer gjenocid në Kosovë dhe se masakra e Rezallës është njëra nga shumë masakrat të cilat kanë ndodhur në Kosovë.

Ai ka deklaruar se Serbia duhet të përgjigjet për këto krime.

“Ne nuk do të ndalemi deri kur Serbia të japë përgjegjësi për gjenocidin e kryer dhe të dënohen të gjithë kriminelët për masakrën e Rezallës dhe të gjitha masakrat e tjera që kanë ndodhur në Kosovë. Lavdi martirëve të cilët e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, sepse pa gjakun e tyre dhe pa sakrificën e popullit të Kosovës nuk do të mund të vinte liria të cilën e gëzojmë sot, e as shteti i Kosovës”, tha ai.

Ai ka deklaruar se familjarët janë duke vazhduar që të vuajnë ngase Serbia nuk është duke i dorëzuar eshtrat e viktimave. “Para 6 muajve ne rivarrosëm këtu edhe të tjerë trupa të gjetur të këtyre martirëve, por Serbia nuk po i dorëzon qindra trupa të tjerë të cilët janë të zhdukur me dhunë dhe mbahen të fshehur pikërisht në ato vende nëpër të cilat kanë ngritur edhe poligone ushtarake”, tha Konjufca. /Shqip.com