Lajme

Konjufca për ish-krerët e UÇK-së: Duhet të jemi të bashkuar sikur gishtat e dorës, Specialja po i mban të izoluar

Kryeparlamentari i Kosovës

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në Hagë së shpejti do të vizitohen nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai tha se nuk do të jenë pengë i grindjes pasi “ne jemi një popull, ne kemi interesa të përbashkëta dhe në interesa të përbashkëta nuk mund të na përçajë askush”.

“Qoftë ata që ishin dikur në funksione udhëheqëse të shtetit, qoftë ne tani që jemi në krye të institucioneve për shkak të vullnetit të popullit, duhet të udhëhiqemi vetëm nga një princip: ne jemi një popull, ne kemi interesa të përbashkëta dhe në interesa të përbashkëta nuk mund të na përçajë askush. Aq më pak Serbia me GjS e edhe me raportin e Dik Martit (Dick Marty)”, ka pohuar ai në RTK.

Ai shtoi se ish-krerët e UÇK-së që Gjykata Speciale  po i gjykon për krime lufte, që nga fillimi e ka konsideruar të padrejtë.

Sipas tij, Specialja po përpiqet t’i mbajë të izoluar ish-luftëtarët.

“Tash jemi në një pozicion të vështirë si Kosovë në këtë gjykatë, sepse është vënë para Gjykate struktura kryesore e Shtabit të Përgjithshëm. Këtë gjykatë që nga fillimi e kam konsideruar si të padrejtë dhe kështu do ta quaj gjithmonë dhe derisa po veprohet kështu ndaj krerëve të UÇK-s nga Gjykata, nuk kam se si ta quaj ndryshe përpos si përpjekje për izolim të tyre”.

Ai tha se ata mund të mbroheshin edhe në liri dhe këtë gjykim nuk e di si ta quan.

“Përderisa tani po mbushen dy vjet që janë të burgosur dhe tani po shtojnë aktakuza të tjera dhe njëherazi të mos ia lejosh mbrojtjes qasjen në të gjitha materialet e aktakuzës nga ana e Prokurorisë, kjo, mendoj, i kontribuon vetëm një procesi që le të quhet si të dojë, por një gjë dihet se jemi në dy vjetorin e burgosjes së tyre, ata mbahen të izoluar edhe nga familjet e tyre dhe çdo gjëje tjetër dhe pse, kësaj pyetje do të duhej të përgjigjen ata që po e bëjnë këtë, sepse ata do të mund të mbroheshin në liri, mbase edhe tani do të mund të shkonin atje, e jo të burgosen me hapjen aktakuzës dhe të mbahen në burg gjatë gjithë procedurës, kjo për mua  lë për të dëshiruar sa i përket normave universale dhe sa i përket të drejtave të njeriut në procedurë gjyqësore”./SHQIP.com