Lajme

Bislimi: Kosova nuk është tërhequr nga projekti i gazit, kemi kërkuar kohë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të premten se “Kosova nuk ka hequr dorë nga projekti i gazit, por ka kërkuar më shumë kohë për ta vendosur”.

Gjatë një interviste për “REL”, Bislimi e kritikoi opozitën për mënyrën sesi i është qasur kësaj teme, duke thënë se “janë në drejtim të zhdukjes”.

“Nuk ka asnjë problem me partneritetin me Amerikën, dakordimi me MCC-në po vazhdon, ka bashkëpunim e ide të rialokimit të mjeteve”.

Lexo edhe:
Rizvanolli: Kosova nuk i ka humbur 200 milionë euro me vendimin për të mos e çuar përpara projektin e gazsjellësit

“Nuk po flasim këtu për një investim 300 mijë euro apo 500 mijë euro, por jemi duke folur për investime të qindra miliona eurove, dhe këtu nuk mund të bëhen gabime të vogla, mund të bëhen vetëm gabime të mëdha”.

“Ajo që ne kemi thënë është që tranzicioni është i gjatë, tranzicioni është i kushtueshëm. Ne e kemi për obligim që në periudhën e tranzicionit të energjisë, të garantojmë vazhdimësi, qëndrueshmëri dhe energji me çmime të përballueshme për qytetarët”.

Ai shtoi gjatë këtij viti, çmimi i gazit në tregun evropian është trefishuar.

“Kjo tregon që nevoja për qeverinë që të jetë sa më e kujdesshme në projekte të tilla të jetë edhe më prezentë”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministria e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se kanë nevojë për më shumë informata “për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”, përcjell Shqip.com.

Në një konferencë për media, ajo u shpreh se MCC-ja amerikane ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit.

“Në këtë situatë, përballë afateve kohore që ka MCC ne kemi vendosur që të vendosim tutje që të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alukuar për programin e kompaktit për investime me risk më të ulët por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën në cakun drejt dekarbonizimit të sektorit  të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat”, tha ajo.

Tutje, Rizvanolli shtoi se gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë punën e përbashkët me ekipin e MCC-së në këtë drejtim.

“Gjatë muajve në vijim do të vazhdojmë pounën e përbashkët intensive me ekipin e MCC në këtë drejtim dhe jemi mirënnjohës MCCsë, qeverisë amerikane dhe agjencive amerikane për ndihmën teknike dhe financiare i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin sektorit të energjisë së Kosovës”, përfundoi ajo.

Projekt i gazit.

Reciprociteti me Serbinë.

Besnik Bislimi ka folur edhe për zbatimin e reciprocitetit, duke thënë se mund të ketë edhe masa të reja, në të ardhmen.

Ndërsa, për marrëveshjen e Brukselit, deklaroi se Kosova është e gatshme që ta zbatojë atë.

“Kosova ka qenë e gatshme qysh moti. Kosova ka rreth 300 mijë stikersa (v.j. letra ngjitëse), kur po them 300 mijë stikersa po mendoj 300 mijë pako, për arsye se një pako i ka katër stikers, kaq sa nevojitën për secilën veturë për të mbuluar shenjat e shtetësisë dhe simbolet”.

“Dhe këto mjaftojnë për të mbuluar qarkullimin gjashtëmujor ndërkufitarë. Edhe marrëveshja e përkohshme ka një afat prej gjashtë muajsh, kështu që pala jonë është komplet e përgatitur”.

Gjithashtu, theksoi se largimi i Policisë do të bëhet sipas afatit të përcaktuar në marrëveshje; pra 2 tetor, ora 08:00. /Shqip.com