Lajme

Konjufca priti në takim delegacionin parlamentar nga Shqipëria

Kryekuvendari Kosovar, Glauk Konjufca ka pritur në takim gjatë ditës së sotme një delegacion parlamentar nga Shqipëria.

Sipas njoftimit të Kuvendit të Kosovës, delegacioni përbëhej nga anëtarët e Komisionit për Integrim Evropian.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim një delegacion parlamentar nga Shqipëria, të përbërë nga anëtarë të Komisionit për Integrim Evropian. Në takim i diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera që parlamentet e të dyja vendeve kanë ndërtuar midis tyre, ndërsa u vlerësua se mbi këtë bazë mund të avancohen më tej ato, në të gjitha nivelet e bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim, Konjufca ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të shfrytëzojnë hapësirat pëe të zhvilluar raportet e bashkëpunimit në mes njëra-tjetrës.

“Kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të shfrytëzojnë hapësirat për të zhvilluar tutje raportet e bashkëpunimit dhe bashkëveprimit konkret në të gjitha fushat, kur tashmë ekzistojnë një sërë marrëveshjesh midis dy qeverive. Kryetari Konjufca falënderoi deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për angazhimin e tyre në mbështetje të Kosovës në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare, si në afirmimin e subjektivitetit ndërkombëtar, ashtu edhe në atë të procesit të integrimit evropian”.

Tutje thuhet se kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Shqipërisë, Jorida Tabaku dhe anëtarë të tjerë të delegacionit, vlerësuan lart frytet e bashkëpunimit të deritashëm midis dy vendeve.

/Shqip.com