Lajme

Konjufca përkujton Hotin: Askush nuk u dënua për zhdukjen e tij, Serbia nuk po ndryshon

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca

Në 23 vjetorin e zhdukjes së veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare, profesorit dhe intelektualit, Ukshin Hoti kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në shtëpinë muze të tij.

Konjufca tha se 23 vite më parë është bërë një krim i madh të cilin e përjetoi gjithë kombi shqiptar.

Sipas tij, veprimtari dhe patrioti, Ukshin Hoti ka lënë trashëgimi të madhe dhe të gjatë për ta kujtuar.

“Sot po bëhen 23 vite prej kur forcat shtetërore të Serbisë e zhduken patriotin dhe veprimtarinë tonë të shquar, intelektualin tonë të madh, Ukshin Hotin. Ky ishte një krim i madh dhe i rëndë të cilin nuk e ka përjetuar vetëm familja por e ka përjetuar mbarë populli jonë i mbarë kombit shqiptar sepse Ukshin Hoti ishte veprimtar i shquar. Veprimtaria e tij është e gjatë, shumë e vlefshme dhe shumë e rëndësishme për ta kujtuar. Ai na ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme intelektuale, patriotike dhe atdhetare, të cilën gjithmonë do ta studiojmë brezat edhe të tashë, edhe në të ardhshëm për shkak të mendimeve politike që na i ka lënë Ukshin Hoti. Veprat e tij edhe sot e kësaj dite na e ndriçojnë rrugën tonë përpara edhe si zyrtarë politikë por edhe atyre që e studiojnë politikën”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se ndonëse kanë kaluar 23 vite që nga zhdukja e Ukshin Hotit, shteti i Serbisë nuk ka dhënë përgjegjësi dhe askush nuk është dënuar ndonëse dihen autoritetet e burgut të asaj kohe kur ishte zhdukur veprimtari Hoti.

Konjufca tha se shteti serb duke mos e qarë kokën për këto veprime po tregon se Seria nuk po e ndërron të cilin e ka pasur në vitit 1998-99.

Sipas tij, veprimtari Ukshin Hoti ka qenë personalitet i cili nuk ka kalkuluar me favore dhe pozita gjithmonë ka qenë në anën e popullit.

“Zhdukja e tij 23 vite tash pas shteti i Serbisë nuk ka dhënë fare përgjegjësi askush nuk është dënuar dhe gjykuar për zhdukjen e tij, ndonëse dihet me saktësi cilat ishin autoritetet e burgut atë ditë kur është zhdukur Ukshin Hoti, kush ka qenë drejtori e kush kanë qenë gardianët, gjithçka dihet kjo tregon pikërisht se Serbia as nuk e qanë kokën për këtë veprime, tregon se ky shtet as që po e ndërron drejtimin të cilin e ka pasur në vitin 1998-1999 dhe gjithmonë në vazhdimësi kundër popullit shqiptar. Ukshin Hoti gjithmonë do të kujtohet sa të ketë komb shqiptar për arsye se veprimtaria e tij patriotike, e cila shtrihet për dekada me rradhë, mos të harrojmë, ai ishte i gatshëm me humb edhe postin e profesorit të UP-së për të dal në mbrojtje të protestave studentore të vitit 1981. Ka qenë personalitet që nuk ka kalkuluar në pozita dhe në favore, ai gjithmonë ka qenë në anën e popullit”, u shpreh kryeparlamentari Konjufca.

Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit.

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti./Shqip.com