Lajme

Konjufca për sulmet ndaj zyrtarëve policor: Kanë për qëllim ta destabilizojnë Kosovën

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë për qëllim ta destabilizojnë Kosovën.

Konjufca ka thënë se qëllimi i krejt kësaj është që invazioni rus mbi Ukrainën të shpërndahet edhe në pjesët tjera të Evropës.

“Provokimet janë të qarta, këto sulme janë të pa tolerueshme, ato po vijnë prej strukturave të cilat drejtpërdrejt janë të lidhura me Serbinë, kjo për arsye se Serbia gjithmonë ka interes për destabilizimin e Kosovës, edhe po shërben sikur platformë e Rusisë për ta shpërndarë edhe në pjesët tjera të Evropës luftën të cilën e ka nisur përmes invazionit mbi Ukrainën më tepër se një muaj më parë”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit, është shprehur se sulmet mbi Policinë e Kosovës janë interes i presidentit rus, Vladimir Putin që ta shpërndajë konfliktin edhe nëpër vende të tjera që të mos ketë vëmendjen e botës demokratike, të BE-së dhe SHBA-ve.

“Pra, këto sulme që po ndodhin mbi Policinë e Kosovës edhe po tregojnë se sa Serbia është e varur nga Rusia, meqenëse këto sulme unë nuk i interpretoj tjetër përveç sesi të motivuara që konflikti të shpërndahet edhe nëpër pjesë tjera të Evropës, ashtu që invazioni rus mbi Ukrainën të mos e ketë vëmendjen e botës demokratike, të BE-së dhe SHBA-ve. Kështu që është interes i Putinit që me shpërnda konfliktin edhe nëpër vende të tjera dhe sulmet mbi Policinë e Kosovës unë i interpretoj mbi këtë motivacion që të shpërthejë lufta dhe destabilizimi edhe në pjesët tjera të Evropës”, theksoi Konjufca.

Kryetari Konjufca, këto komente i bëri pas tubimit për nderimin e të rënëve në luftën e fundit në fshatin Dyz të Podujevës./Shqip.com