Konjufca për mos-ftesën në Samitin e Demokracive: Shpresoj të na ftojnë vitin tjetër

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se shpreson që vitin e ardhshëm presidenti amerikan, Joe Biden, ta ftojë edhe Kosovën në Samitin e Demokracive.
Konjufca e pranoi që pjesëmarrja në këto samite është tejet e rëndësishme për Kosovën.
“Ato janë konferenca të rëndësishme, të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se kush është e rëndësishme të marrë pjesë ose jo”.
“Për Kosovën do të kishte qenë e mirëseardhur po të kishte qenë pjesë e kësaj konference. Kjo po mbahet për herë të parë, por dëgjova që pas një viti do të mbahet tjetra, sepse kjo parashihej në dy faza”, ka thënë ai për TV BESA.
“Meqenëse nuk u ftuam në këtë të parën, të shpresojmë në atë të dytën që do të mbahet sot një vit, me sa e lexova projektin. Të jemi të ftuar do të ishte shumë e rëndësishme për Republikën e Kosovës”.
Në Samitin e Demokracive që mbahet në fillim të dhjetorit nuk ka vend për Kosovën, bazuar në raportimet e mediave ndërkombëtare.
Opozita për këtë po e fajëson kryeministrin, Albin Kurti dhe presidenten, Vjosa Osmani.
Sipas tyre, ata janë duke e “izoluar” Kosovën. /Shqip.com