Lajme

Konjufca: Nuk di ndonjë gjenocid me më pak drejtësi se sa në rastin e popullit të Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se nuk e din nëse ka ndonjë gjenocid në botë për të cilin të ketë pasur më pak drejtësi se sa në rastin e popullit të Kosovës.

Përmes një njoftimi nga Kuvendi, Konjufca këtë ka e ka thënë me rastin e homazheve në kompleksin e varrezave në Abri të Epërme të Drenasit, në nderim të të vrarëve në masakrën e 26 shtatorit 1998 nga forcat serbe.

“Nuk di ndonjë gjenocid në botë për të cilin të ketë pasur më pak drejtësi se sa në rastin e popullit tonë. Nëse kemi parasysh numrin prej 12 mijë qytetarësh tanë të vrarë nga shteti serb dhe në anën tjetër numrin e të dënuarve për të gjitha këto vrasje, është me të vërtetë pikëlluese. Kjo plagë po vazhdon ende, sepse përveç masakrave të kryera dhe mungesës së drejtësisë për 24 vite, mbi 1600 qytetarë të Kosovës ende nuk janë gjetur.  Natyrisht dihet që Serbia si shtet gjenocidal i mban ata dhe nuk i kthen“, tha Konjufca.

Tutje, Konjufca tha se duhet të angazhohen që të argumentohen krimete luftës dhe ndjekja e kriminelëve të cilët janë duke lëvizur të lirë në Serbi e po ashtu, po marrin edhe poste të larta institucionale në këtë shtet.

“Kjo na obligon edhe më shumë si institucione, që përveç se t’i kujtojmë dhe nderojmë, ta ngrisim zërin dhe të bëjmë edhe më shumë kudo që na jepet mundësia, nëpër forume e institucione të rëndësishme të botës, për t’u treguar atyre dhe për t’i bindur se kush është Serbia e vërtetë. Njëkohësisht institucionet tona duhet t’i ngrisin kapacitetet dhe t’i kryejnë vet disa punë të shtëpisë, të cilat na takojnë e që nuk i kemi kryer kurrë, siç është hetimi dhe argumentimi i krimeve të luftës e i ndjekjes së kriminelëve, të cilët ende janë të lirë në Serbi dhe shpesh herë po marrin edhe poste të larta institucionale në këtë shtet”.

Këtë ditë, Konjufca e konsideron si ditë dhimbje por edhe krenarie pasiqë gjaku i popullit të Kosovës i solli deri këtu.

Ndërsa, vazhdoi duke thënë se kjo është një betejë e papërfunduar dhe se liria kompletohet kur shkon bashkë me drejtësinë./Shqip.com