Lajme

Konjufca nis vizitën zyrtare në ShBA

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka mbërritur në ShBA, atje ku do të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci që nis nga nesër e vazhdon deri më 30 mars.

Kështu ka bërë të ditur Ilir Kërçeli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

“Sot, me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, filluam vizitën zyrtare disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila realizohet me ftesë të Kongresit Amerikan.Kryetari Konjufca do të marrë pjesë në Samitin e Dytë për Demokraci, që do të mbahet më 28-30 mars, si dhe në pritjen që Partneriteti për Demokraci i Dhomës së Përfaqësuesve (HDP) do të organizojë për lidershipin dhe deputetët e parlamenteve të shteteve partnere të HDP-së dhe shteteve të tjera”, ka shkruar Kërçeli.

Krahas pjesëmarrjes në aktivitetet e Samitit, është paraparë që Kryetari i Kuvendit të zhvillojë takime me përfaqësues të lartë të Kongresit Amerikan dhe të Departamentit të Shtetit, si dhe me përfaqësues politikë të shteteve të tjera, duke përfshirë edhe ato që nuk e kanë njohur ende shtetin e Kosovës, ka bëtë të ditur më tutje Kërçeli.

/Shqip.com