Lajme

Konjufca: Në vend që të gjykohej Serbia po gjykohet UÇK-ja

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke përkujtuar 24-vjetorin e masakrës së Rezallës, ka deklaruar se në vend që Serbia të gjykohej e të merrte vendimin e merituar sot është Ushtria Çlirimtare e Kosovës ajo që është ulur në bankën e drejtësisë.

Duke vazhduar të komentojë zhvillimet e fundit, ai tha se kjo nuk mund të përjetohet ndryshe përveç se si padrejtësi.

“Jemi në 24-vjetorin e masakrës së Rezallës, në një prej akteve gjenocidale më të mëdha që i ka bërë Serbia në Kosovë. Kjo së bashku me gjithë masakrat e kryera nga aparati shtetëror e ushtarak i Serbisë e përbëjnë gjenocidin që ky shtet e ka ushtruar mbi popullin e Kosovës.

Këtu të gjitha po i kujtojmë në kohën kur nuk është Serbia ajo që po gjykohet dhe ta marrë dënimin e merituar, me gjithë ata kriminelë lufte që i mban brenda, por është pikërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, vetë Kosova është e ulur në bankën e drejtësisë, kjo nuk mund të përjetohet ndryshe veç si padrejtësi”, ka thënë Konjufca para gazetarëve.

Ai foli edhe për kërkesën e Serbisë që të mos përdoret termi “persona të zhdukur me dhunë”, në marrëveshjen në mes të dyja vendeve.

Konjufca tha se ky term do të përdoret, ashtu si nëpër konventat ndërkombëtare dhe sipas tij, Serbia e kërkon mospërdorimin e tij për t’i ikur përgjegjësisë.

/Shqip.com