Lajme

Konjufca: Formati i dialogut të ndryshojë, pas ngjarjeve të fundit në Veri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se sulmin e 24 shtatorit në veri të vendit ishte sulm terrorist dhe akt agresioni.

Në një intervistë në Radio Kosovë, ai deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka qenë në dijeni për këtë sulm dhe se është tallje nëse mohohet kjo. Ndërsa, sa i përket vazhdimit të dialogut, ai tha se formati i tij duhet të ndryshojë pas ngjarjeve të fundit.

“Ata i kanë shfrytëzuar pronat të cilat janë zyrtare të Ushtrisë së Serbisë. Është tallje mendoj, është tallje, me të gjitha këto informata dhe me karakterin shtetëror, edhe me informatat që i kanë edhe shërbimet e jashtme, që të thuhet se presidenti dhe figurat e larta të shtetit serb nuk e kanë ditë, përkundrazi qëndrojnë dhe janë të lidhur shumë ngushtë me këtë sulm”, tha ai.

Ngjarja e 24 shtatorit e ka kthyer prapa të gjithë procesin, deklaroi Kunjufca, duke theksuar se tashmë formati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndryshojë.

“Goditja që ia ka dhënë 24 shtatori, ne jemi pothuajse të bindur që nuk mund të vazhdojë në atë regjistër që ka qenë. Duhet të ndryshojë në kuptimin e këtij projekti që e prezantoi emisari Lajçak, le të themi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Kosova e paska në formë të një obligimi, i cili në kohë duhet të sekuencohet si projekt i parë. Është vështirë të bëjmë një hap në këtë drejtim, duke e pasur përballë një shtet prej të cilit hyjnë grupe terroriste të armatosura rëndë dhe për ta aneksuar pjesën e veriut të Kosovës. Ky ka qenë qëllimi”, deklaroi Konjufca.

Ndër të tjera, Konjufca foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për çka tha se këtë herë nuk do të bëjnë të njëjtin gabim, dhe se përvoja e keqe nga e kaluara, sipas tij e bëjnë që kryeministri Kurti të mbajë pozicione me të forta sa i përket Asociacionit. Konjufca tha se kësaj radhe Serbia duhet të pajtohet që Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës.

/Shqip.com