Konjufca: E kam dhënë pagën për Fondin e Sigurisë, shumë zyrtarë e kanë bërë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka reaguar shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, duke thënë se ai dhe shumë zyrtarë të tjerë publikë e kanë dhënë pagën për Fondin e Sigurisë.
Ai, në seancën e sotme plenare për situatën e sigurisë në vend, tha se me dhurimin e pagave për Fondin e Sigurisë nuk duhet bërë publicitet.
“Unë për vete e kam dhënë (pagën), por nuk mendoj se duhet bërë publicitet për këtë punë. Mendoj se shumë prej zyrtarëve publikë e kanë dhënë (pagën), por nuk është punë e publicitetit”, tha ai.

Theksojmë se më 1 mars Qeveria e Kosovës kishte themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë.
Ndryshe, buxheti që ka ndarë Qeveria e Kosovës për FSK-në më 2022 kap vlerën e mbi 100 milionë eurove.
Që prej vitit 2018, FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri. Ky proces është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet./Shqip.com