Lajme

Konjufca: Diaspora, themeli i gjithë asaj çfarë kemi arritur si popull

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi sot se mërgata mbetet themeli i çdo të arriture të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai kërkoi nga të dy republikat shqiptare që të krijojnë mekanizmat për ruajtjen dhe mbrojtjen e identitetit të kulturës dhe gjuhës, si dhe ta bëjnë diasporën komponent vendimtar të zhvillimit ekonomik.

Duke folur në sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, para një numri të shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në vende të tjera në kuadër të konferencës “Diaspora flet”, Konjufca i bëri thirrje Shqipërisë dhe Kosovës që të bëjnë më shumë për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve në diasporë.

Një ditë më parë, në kuadër të së njëjtës konferencë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mërgatën shqiptare e ka konsideruar si një pasuri të çmuar për Kosovën, derisa shtoi se me ligjin e ri për zgjedhjet e përgjithshme po i jepet fund padrejtësisë ndaj diasporës.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të zbatojë politika që e ndërlidhin diasporën me vendin.

Kurti tha se për herë të parë janë duke dizajnuar një fond për diasporë, i cili, sipas tij, paraqet mundësi të mirë partneriteti me të gjitha shoqatat, asociacionet e institutet.

Shefi i qeverisë u shpreh se po punojnë në adresimin e sfidave për të ruajtur gjuhën shqipe jashtë vendit.

Ndërsa zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, u shpreh se fokusi kryesor i tyre është dëgjimi i zërit të diasporës.

Derisa ka përmendur shumë aspekte legjislative që kanë ndërmarrë, ajo theksoi se në planin e zhvillimit kombëtar diaspora shihet si shtyllë për qeverisje të mirë.

/Shqip.com