Lajme

Konjufca dhe Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit po marrin pjesë në punimet e SEECP-së në Greqi

Delegacioni kosovar ne punimet e SEECP-se ne Greqi

Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Glauk Konjufca dhe në përbërje të deputetëve Fitore Pacolli Dalipi, Mefail Bajqinovci, anëtarë, dhe deputetëve Jeta Statovci dhe Ardian Gola, zëvendës anëtarë, është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili po mbahet në Parlamentin e Greqisë, në Athinë.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Kuvendi i Kosovës.

Punimet e këtij sesioni do të mbahen më datën 1 dhe 2 qershor dhe në takimet e ditës së parë morën pjesë deputetja Fitore Pacolli, Mefail Bajqinovci, Jeta Statovci dhe Ardian Gola.

“Gjatë takimeve të ditës së parë të punës, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës u përfaqësua nga deputetët Fitore Pacolli Dalipi, anëtare e Komisionit të Përhershëm Qendror, Mefail Bajqinovci, anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, Jeta Statovci, zëvendës anëtare e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, si dhe Ardian Gola, zëvendës anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë në AP të SEECP-së”, shkruhet në komunikatë.

Gjatë këtyre takimeve janë votuar dokumentet e Komisioneve të Përgjithshme si dhe është vendosur që Kosova të kryesoj dy komisionet e përgjithshme të asamblesë.

“Gjatë takimeve u votuan dokumentet e Komisioneve të Përgjithshme, si dhe u vendos që Kosova të kryesojë dy komisionet e përgjithshme të Asamblesë, Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, dhe Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë”.

Delegacioni i përhershëm i Kuvendit në punimet e SEECP-së në Greqi

Kosova është anëtare e SEECP-së me të drejta të plota qysh nga viti 2015, mirëpo intensifikimi i marrëdhënieve dhe shtimi i rolit të Kosovës ka filluar në vitin 2019 dhe tani ky intensifikim është në rritje të vazhdueshme.

Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i kryesuar nga Greqia si Kryesuese në detyrë, do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme ku pritet miratimi i dokumentit kryesor, Deklaratës së përbashkët përfundimtare, nga Kryetarët e Kuvendeve të vendeve anëtare./Shqip.com