Lajme

Konjufca dhe Bogujevci do të marrin pjesë në takimin e KiE-së për dialogun

Këshilli i Evropës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe nënkryetarja, Saranda Bogujevci së bashku me delegacionin nga Kosova do të marrin pjesë në takimin e Këshillit Evropian në të cilin do të diskutohet për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është bërë e ditur nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila e cila tha se kjo është arsyeja se pse Kuvendi nuk ka të planifikuar ndonjë seancë për këtë javë.

“Arsyeja se pse nuk është planifikuar që këtë javë të mbahen seanca të Kuvendit është për faktin se kryetari, Glauk Konjufca dhe Saranda Bugojevci do të jenë në Strasburg në takimin në KËshillin e Evropës me një agjendë tepër të ngjeshur dhe të rëndësishme për Kosovën”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila tha se kjo pikë është e propozuar nga Britania e Madhe.

“Të mërkurën planifikohet që në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të debatohet për dialogun Kosovë-Serbi dhe është pikë e rendit të ditës e propozuar nga Britania e Madhe. Prandaj është shumë me rëndësi që prezent të jenë përfaqësuesit e nivelit më të lartë të Kuvendit të Kosovës”.

Ndërsa, në bazë të agjendës së Këshillit të Evropës për sesionin dimëror të këtij viti thuhet se se debati lidhur me tensionet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë pritet që të mbahet sot.

Kurse për shkak të mungesës së disa nënkryetarëve duke përfshirë edhe Bogujevcin, Kusari-Lila njoftoi se mbledhja e kryesisë së Kuvendit nuk ka pasur korum.

“Me lejoni të ju njoftoj se sot nuk kishte korum për mbledhje të kryesisë. Arsye ishte mungesa e tre nënkryetarëve në fakt, Saranda Bogujevcit e cila ka udhëtu për në takim në Këshillin e Evropës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj nuk ishte prezent dhe natyrisht Lista Serbe nuk e kanë përcaktu anëtarin tjetër të kryesisë së Kuvendit”.

Megjithatë, thuhet se javën e ardhshme do të ketë një mbledhje tjetër të kryesisë.

/Shqip.com