Lajme

Konjufca: Deri më 5 mars donim të fitojmë, pas 5 marsit nuk mund të humbnim më

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca

Në seancën solemne për nderë të Epopesë së UÇK-së, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se kulla e Jasharëve u shndërrua në shtëpinë e kombit, ndërsa flijimi i tyre u kthye në frymë të çlirimit.

Konjufca ka thënë se rënia e Jasharajve e bëri ushtri UÇK-në, derisa shtoi se ajo popullin e ktheu në një bashkësi e cila jetën nuk e kupton si diçka që mund të shpëtohet, por si më të çmuarën që duhet të jepet.

“Deri më 5 mars donim të fitojmë. Pas 5 marsit nuk mund të humbnim më. Sepse krejt populli u bë UÇK. Por historia e vështirë e popullit tone na mëson se asnjë akt, sado i lartë të jetë, nuk fillon si pikënisje absolute nga asgjëja. Adem e Hamëz Jashari me në krye Bacën Shaban, e gjithë familja ishin të mishëruar me lavdinë dhe guximin e Skënderbeut dhe vizionin e Hasan Prishtinës”, ka thënë Konjufca.

Kreu i Kuvendit nder të tjera ka thënë se asnjë falënderim nuk mund ta shter flijimin të cilit duam t’i falemi.

“Nuk ka përkulje që të mund të jetë aq e thellë sa ta përçojë pietetin meritor.Nuk ka mirënjohje aq të lartë sa ta t’ia jep hakun rënies së tyre heroike. Kjo ndodh meqë 5 marsi është akti suprem i lirisë sonë kombëtare. Ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët me të cilën filloi shekulli XX ishte pavarësia e Shqipërisë, kurse ngjarja më e rëndësishme me të cilën u mbyll ky qindvjeçar ishte çlirimi i Kosovës”, ka thënë ai para deputetëve.

Kryetari Konjufca ka thënë se ngjarja më e rëndësishme brenda çlirimit pa dyshim që është rënia heroike dhe sakrifica kolosale e Jasharajve me në krye komandantin legjendar, Adem Jashari. Çlirimi është liri de fakto. Kurse pavarësia është liri de jure./Shqip.com