Lajme Botë

Kongresi amerikan shmang mbylljen qeveritare

Ndërtesa e Kongresit amerikan.
Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Duke i dhënë fund mundësisë për mbyllje qeveritare në Shtetet e Bashkuara, deri në kohën e festave, Kongresi e ka dhënë miratimin final për një paketë financimi për agjencitë federale.

Kështu, ligjvënësit e kanë shtyrë për vitin tjetër debatin për buxhetin federal.

Senati është takuar në mbrëmjen e së mërkurës për ta miratuar projektligjin dhe për ta dërguar për nënshkrim te presidenti amerikan, Joe Biden, një ditë pas miratimit të dhënë edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve.

“Këtë vit nuk do të ketë mbyllje qeveritare”, ka thënë lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, në një konferencë për media, pas miratimit, raporton REL.

Paketa e shpenzimeve i mban në qarkullim fondet qeveritare edhe për dy muaj të tjerë, derisa të finalizohen diskutimet për vitin e ri buxhetor.

Paketa parasheh fonde deri më 19 janar për disa agjenci federale, ndërsa deri më 2 shkurt, për disa të tjera.

Megjithatë, në projektligj nuk është përfshirë kërkesa e Shtëpisë së Bardhë për t’i ndarë 106 miliardë dollarë si ndihmë për Izraelin dhe Ukrainën, si dhe për ndihmë humanitare për palestinezët.

Ligjvënësit pritet të fokusohen më shumë në atë kërkesë pas Ditës së Falënderimeve, festës tradicionale në SHBA, që festohet rreth fundit të nëntorit.

/Shqip.com