Lajme

Konfiskohen mbi 64 mijë litra Coca-Cola e falsifikuar

Dogana e Kosovës ka konfiskuar mbi 64 mijë litra Coca-Cola të falsifikuara.

Siç ka njoftuar Dogana e Kosovës malli i konfiskuar kishte origjinë nga Iraku.

“Dogana e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht në luftimin e falsifikimit dhe piraterisë dhe si rezultat i zbatimit të drejtave të pronësisë intelektuale, gjatë ekzaminimit të mallit në kufi është ndaluar malli me markën tregtare “Coca Cola” nën dyshimin se janë të falsifikuara. Pas konfirmimit të bartësit të së drejtës se mallrat e ndaluara janë të falsifikuara, Dogana e Kosovës ka konfiskuar mallrat në sasi prej 64350 litra, me markën tregtare “Coca Cola” dhe origjinë nga Iraku”, thuhet në njoftimin e DK-së.

Dogana ka njoftuar se malli i konfiskuar do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit.

“Sipas dispozitave ligjore në fuqi malli i falsifikuar nuk lejohet të dal në qarkullim të lirë, andaj malli i konfiskuar do ti nënshtrohet procesit të asgjësimit. Mallrat që shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale (DPI), në të shumtën e rasteve paraqesin rrezik për shëndetin e qytetarëve dhe zbatimi efikas i të drejtave të pronësisë intelektuale ndikon pozitivisht edhe ne mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë publike”.

Tutje Dogana e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtroj kontrolla në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e  Kosovës.

/Shqip.com