Lajme

Konfiskohen rreth 1400 kilogramë çokollatë me afat të skaduar

Doganierët kosovarë në Vërmicë kanë konfiskuar një ngarkesë me produkte çokollate të skaduara në sasi prej 1370 kilogramësh.

“Pas kontrollit të një ngarkese doganierët zbuluan se 1370 kilogramë çokollatë, me vlerë 1,712,68 euro kishte afat të skadencës më 26 tetor 2023. Çokollata e skaduar u gjet e fshehur në mes të rimorkios, e përzier me mallin tjetër”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Produktet e çokollatës së skaduar janë sekuestruar nga zyrtarët doganor dhe sipas njoftimit, do të asgjësohen. Ndërsa në përputhje me rregulloret në fuqi dhe në bashkëpunim me agjencinë e ushqimeve, sipas Doganës, kompania importuese është gjobitur dhe po hetohet.

“Dogana e Kosovës rikujton të gjithë importuesit dhe eksportuesit, se ata janë përgjegjës për të siguruar që mallrat që importohen ose eksportohen të jenë në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret në fuqi. Zyrtarët doganorë do të vazhdojnë të jenë vigjilentë në përpjekjet e tyre për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë publike”, thuhet në njoftimin e Doganës kosovare.

/Shqip.com