Lajme

Konfirmohet shkuarja e Bislimit në Beograd

Në kuadër të konferencës “Forumi për Marrëdhënie Etnike” që pritet të mbahet nesër, më 27 tetor në Beograd, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.

Për Shqip.com, lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi për media, i zyrës së Bislimit, Klisman Kadiu.

“Po ne mundemi me e konfirmu që Bislimi nesër shkon në Beograd, për të dhënë kontribut si folës në konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, ku do të diskutohet për integrimin evropian të Kosovës dhe rajonit”, tha Kadiu.

Sipas informacioneve leja për të hyrë në territorin e Serbisë është dërguar me kohë dhe se ajo është konfirmuar nga autoritetet serbe.

Shkuarja e Bislimit në Beograd vjen vetëm pak ditë para afatit për regjistrimin e automjeteve në targa RKS, e që lidhur me këtë, Lista Serbe gjatë ditës ka kërkuar takim urgjent me presidentin Vuçiq.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të Kosovës, e këtij niveli të lartë, që qëndron në Beograd.

/Shqip.com