Lajme

Konfirmohet ndalimi i personit të dyshuar për krime lufte

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se në Budapest të Hungarisë, sipas Urdhër Arrestit Ndërkombëtar të kërkuar është ndaluar një person me inicialet S.S, i nacionalitetit serb.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale, thuhet se Aktvendimi për të personin e ndaluar S.S, është se ky i fundit dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj të vitit 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me krimet e luftës.

Përveç kësaj, i dyshuari do të hetohet edhe për pjesëmarrjen në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, ku janë vrarë 33 persona gjatë sulmeve të kryera.

Komunikata e plotë:


ME URDHËR TË PROKURORISË SPECIALE NDALOHET NJË PERSON I DYSHUAR PËR KRIME LUFTE

Prishtinë, 18 tetor 2022 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se në Budapest të  Hungarisë, sipas Urdhër Arrestit Ndërkombëtar të kërkuar nga kjo prokurori, është ndaluar personi me inicialet S.S., i nacionalitetit serb.

Prokuroria Speciale njofton se ndaj S.S., është nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimit për shkak që i njëjti dyshohet se në periudhën kohore 26 mars deri më 28 maj 1999, ka marrë pjesë aktivisht në kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me  krimet e luftës, ashtu që i njëjti ka marrë pjesë në sulmet kundër popullatës civile shqiptare në lagjen “Kristal” në Pejë, me ç’rast janë vrarë tridhjetetre (33) persona gjatë sulmeve të kryera në këtë periudhë kohore.

/Shqip.com