Lajme Vlera e kontratës është 94 mijë euro

Komuna e Vushtrrisë i jep tender për ndriçim kompanisë pa inxhinier elektroteknik

Komuna e Vushtrrisë

Komuna e Vushtrrisë i ka dhënë tender për zgjerim të rrjetit të ndriçimit publik një kompanie që nuk ka inxhinier elektroteknik.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtarë të Auditimit, kontrata i është dhënë kompanisë më 30 shtator 2021.

E njëjta nuk ka dëshmi se ka të punësuar inxhinier të elektroteknikes për tensionin e ulët.

“Dosja e tenderit e datës 16.07.2021 për zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik, me numër prokurimi VU644-21-4632-5- 2-1 tek pjesa Kapaciteti teknik dhe professional, kërkohet, një Inxhinier i diplomuar i elektroteknikës apo master, 3 vite përvojë pune pas diplomimit (drejtimi Tension i Ulët).
Në procedurat e tenderit për zgjerimin e rrjetit të ndriçimit publik, kontratë e nënshkruar me datë 30.09.2021 me vlerë 94,121€, OE që ka fituar tenderin nuk ka dëshmi se ka ndonjë inxhinjer të elektroteknikës të drejtimit tensioni i ulët”, thuhet në raport.

Si rezultatet, ZKA-ja hedh dyshimet se rrezikohet investimi, duke ofruar shërbime jocilësore.

“Përzgjedhja e OE fitues që nuk përmbush kriteret e përcaktuara me njoftimin për kontratë dhe dosje të tenderit, rezulton me shpërblimin e OE në kundërshtim me kërkesat ligjore. Kjo mund të rrezikojë cilësinë e shërbimeve dhe arritjen e objektivave të parapara në projekt”, thuhet në raport.

Për këtë, auditorit kërkon nga kryetari i komunës që të siguroj kontrolle në procesin e vlerësimit të ofertave.

Ky rast është gjetur nga auditori në raportin për vitin 2021 për Komunën e Vushtrrisë./Shqip.com