Ekonomi

Komuna e Prishtinës miraton faljen e tatimit në pronë deri në 75 euro

Komuna e Prishtinës
Komuna e Prishtinës

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilën nuk morën pjesë asamblistët e LDK-së dhe as kryetari Përparim Rama, partitë politike u dakorduan që shuma e falur për tatimin në pronë të jetë 75 euro, e jo 100 sa ka qenë mundësia e paraparë.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Nora Kelmendi, tha se tatimpaguesit që kanë paguar faturën e tatimit në pronë për këtë vit, shuma e falur do t’i llogaritet si paradhënie për vitin 2024.

“Miratohet vendimi për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023. Falja e tatimit për pronën e paluajtshme vlen për të gjithë tatimpaguesit e kryeqytetit për vitin tatimor 2023. Shuma për faljen e tatimit në pronë do të jetë jo më shumë sesa 75 euro. Në rast se tatimpaguesit kanë paguar faturën e tatimit për pronën e paluajtshme për vitin 2023 shuma e falur llogaritet si paradhënie për vitin 2024”, tha ajo.

Ky vendim është miratuar me 27 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kurse pritet të hyjë në fuqi shtatë ditë pas publikimit në ueb faqen e komunës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pati publikuar propozimin e tij për falje të tatimit në pronë për vitin 2023, ku parashihej që të falet çdo ndryshim i vlerës së tatimit në pronë nga viti 2022 në vitin 2023, prej 0 deri në 100 euro.

Gjykata Kushtetuese javë më parë vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë, përmes ndryshimeve në Ligjin për tatim në pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.

Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.

/Shqip.com