Lajme

Komuna e Prishtinës me aksion ndaj transportuesve ilegal të udhëtarëve

Edhe sot gjatë ditës së hënë, Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës kanë vazhduar me aksion ndaj transportuesve ilegal të udhëtarëve në qytet.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga vetë drejtoria në fjalë duke treguar se janë dy pika kontrolli në këtë aksion.

“Sot po vazhdon aksioni i Drejtoria e Inspekcionit – Komuna e Prishtinës ndaj transportuesve ilegal të udhëtarëve në kryeqytet. Në dy pika, në qendër të kryeqytetit dhe në Dardani (afër Stacionit të autobusëve) janë duke kontrolluar dhe ndaluar hyrjen dhe parkimin ilegal të transportuesve të udhëtarëve”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prishtinës.

Tutje, thuhet se aksioni i inspektorëve të rendit komunal po bëhet me qëllim të evitimit të tollovisë dhe me qëllim që të njëjtit t’i detyrohen të futen në Stacionin e Autobusëve dhe të paguajnë taksën e përcaktuar.

/Shqip.com