Lajme

Komuna e Prishtinës do të ndajë nga 500 euro për viktimat e dhunës në familje

Komuna e Prishtinës

Komuna e Prishtinës, që nga viti i ardhshëm do t’i ndihmojë viktimat e dhunës në familje me nga 500 euro në muaj.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale, Adelinë Sahiti tha për EO ka treguar edhe shumat se për çfarë do të shërbejnë kjo ndihmë financiare.

“Ky vendim i ka tri shtylla të tij, tri mbështetje financiare në pako prej 500 euro e të cilat përfshinë strehimin për viktimat e dhunës në familje, strehimi i cili mbulon deri në 250 euro për një viktimë e dhunës në familje, banimin e saj, gjetjen e qerasë. E pastaj pjesa tjetër 150 euro për ato të cilat nuk janë pjesë e skemës sociale për kushte të jetesës  për veshmbathje e gjëra ushqimore të tilla dhe 50 euro për një fëmijë”, tha Sahiti.

Sahiti mendon që ky shembull duhet të praktikohet edhe nga komunat e tjera të Kosovës.

“Në rast që viktima mund të ketë më shumë se një  fëmijë ne do t’i japim deri në 100 euro që në total kur bëjmë një matematikë të thjeshtë del që janë 500 euro për një viktimë të dhunës në familje. Është një vendim shumë i guximshëm, një hap shumë i madh, e ne këtë e kemi bërë para se të fillonte kampanja globale 16 ditë aktivizmit kundër dhunës në familje. Me këtë po besoj që kemi një progres apo një shembull sigurisht që duhet të praktikohet edhe nga komunat e tjera, e pse jo edhe nga niveli qendror e normalisht që vetëm shumëfishohet kjo pagesë”, thotë ajo.

Sahiti thotë se për herë të parë është marrë një vendim i tillë dhe me këtë viktimat e dhunës në familje do ta kenë të lehtë edhe gjendjen emocionale që i’u krijohet në atë periudhë.

 “Është hera e parë që bëhet një ndihmesë e tillë, më herë nuk kemi pasur, unë e thashë që kemi pasur strehimore deri në 6 muaj dhe pastaj ajo është dashur t’ia bëje zgjidhjen vetes duke e pasur parasysh këtë situatë ne kemi reaguar në mes këtij vendimi dhe duke pasur parasysh se qendra për  Punë Sociale është dera e parë pas raportimit në polici që e bënë viktima, atëherë është punëtori sociale  i cili e bënë, duhet të jetë pjesë e gjithë procedurës nga marrja në intervistë e viktimës deri tek vendosja në vazhdimësi ecuria se si po akomodohet dhe gjendja e saj shpirtërore emocionale e saj  dhe çka mund të bëjë mirë ne e kemi pa të udhës dhe e kemi marrë vendim që po besoj që ka hy në fuqi dhe nga janari i vitit tjetër ne presim aplikimet e para me seri kriteresh që t’i përmbushin”.

Deri në shtator të këtij viti në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale janë të lajmëruar 300 viktima të dhunës në familje, tregon Sahiti

“Ne sipas statistikave që kemi qendra për punë sociale, janë rreth 300 raste  deri në shtator. Fatkeqësisht kemi një ngritje të madhe të numrit të rasteve të raportuara. Kjo mund të jetë të ndikojë që të ngrihet vetëdija e qytetarëve e grave në kuptimin e asaj që askush nuk e duron dhunën duhet të raportojnë, dhe është institucion dhe nuk është brenda mureve të shtëpisë të mbytur  aty. Por dhuna duhet të raportohet, dhuna duhet të luftohet dhe si e tillë nuk duhet të lejohet në asnjë variant të këtë zgjidhje për asgjë kjo ka shumë rëndësi”.

Komuna e Prishtinës ka shfaqur edhe kriteret për aplikim për këtë ndihmë financiare.

Për të aplikuar si viktimë e dhunës në familje duhet të ketë një rast të hapur ose një vendim nga ana e gjykatës, raport të punës sociale dhe duhet të jetë detyrimisht banore e Komunës së Prishtinës.

Krahas kësaj, kërkohet certifikatë e lindjes duhet të kenë të noterizuar edhe vendin ku do të vazhdojnë të banojnë ku do ta gjejnë strehimin e tyre.

/Shqip.com