Lajme

Komuna e Prishtinës dhe Fondacioni për të drejtat e Kafshëve nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për qentë endacakë

Komuna e Prishtinës dhe Fondacioni për të drejtat e Kafshëve kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi lidhur me çështjen e qeneve endacakë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga ana e Fondacionit.

“Është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit në mes të organizatës sonë dhe Komuna e Prishtinës. Përmes këtij memorandumi, organizata jonë do të mbështesë komunën e Prishtinës në monitorimin e masave të ndërmarra nga Komuna e Prishtinës për të zgjidhur çështjen e qenve endacak në mënyrë të qëndrueshme dhe humane”, thuhet në njoftimin e Fondacionit.

“Organizata jonë tashmë ka filluar me numërim shkencor të qenve në rrugë, sipas metodave profesionale të propozuara nga ICAM Coalition, dhe shumë shpejtë do t’ia prezantojmë këto të dhëna komunës, në mënyrë që të planifikohen masat e duhura dhe efektive të cilat do të adresojnë burimet e shtimit të numrit të qenve në rrugë bazuar në të dhënat dhe dinamikën e popullsisë së qenve në komunitetet lokale”, thuhet më tutje në njoftimin e Fondacionit.

Po ashtu është bërë e ditur, se me nënshkrim të këtij memorandumi, asnjë kosto financiare nuk iu ngarkohet palëve./Shqip.com