Lajme

Komuna e Gjilanit lanson platformën online për konsultime publike

Komuna e Gjilanit

Drejtoresha e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshmë në Komunën e Gjilanit, Doruntina Hasani, ka njoftuar se për herë të parë qytetarëve të Gjilanit po u mundësohet të japin kontributin e tyre online.


“Komuna e Gjilanit, për herë të parë, ua mundëson qytetarëve të japin kontributin e tyre online në procesin e konsultimeve publike. Nga Zyra për Qeverisje të Mirë e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, bazuar në Rregulloren për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik nr. 5/2016, është lansuar platforma online për konsultime publike të cilën mund t’a përdorin të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e Hasanit.

Tutje, lansimi i platformës shihet edhe si mundësi që palët e interesuara të shprehin qëndrimet e tyre për të kontribuar në fushën e opinionit publik.

“Komuna e Gjilanit për herë të parë filloi me përdorimin e kësaj platforme, me qëllim që t’iu mundësohet qytetarëve dhe të gjitha palëve të interesuara që të shprehin edhe online qëndrimet e tyre lidhur me aktet e dokumentet që janë në proces të aprovimit nga Komuna. Komentet dhe kontributin tuaj, mund t’a jepni drejtpërsëdrejti përmes kyçjes (log-in) në platformë”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga drejtoresha Hasani.

Sipas saj transparenca, gjithëpërfshirja dhe vendimmarja e përbashkët me qytetarët, ka qenë njëra ndër zotimet e fushatës e që tanimë po jetësohet.

/Shqip.com