Kulturë Kino

Komuna e Gjakovës emëron anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit, sindikata e konsideron shkelje të ligjit

Anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit të Gjakovës, të përzgjedhur nga Kryetari i Komunës Ardian Gjini

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka emëruar anëtarët e Këshillit Drejtues të Teatrit të qytetit “Hadi Shehu”.

Meqenëse, Këshilli Drejtues i teatrit është organ i pavarur mbikëqyrës, anëtarët e të cilit përbehen nga 5 veta nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen konkursit sepse nuk janë pozita pune me kontratë të rregullt.

E për këtë arsye ata emërohen direkt nga kryetari i komunës.

Më përzgjedhjen e Kryetarit Ardian Gjini, nuk është ndarë e kënaqur Shoqata Sindikale e Teatrit të qytetit, sipas tyre është bërë shkelje në përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, sepse disa prej tyre nuk i takojnë fushës së teatrit.

“Vendimin për emërim e ka marrë kryetari i komunës pasi që është e drejtë e tij ekskluzive, por ne konsiderojmë që shumica dërrmuese, përkatësisht 3 anëtarë është dashur të jenë nga fusha e teatrit ashtu si e kërkon edhe ligji.  Ndërkohë që pjese e këshillit është edhe një aktore dhe një përfaqësues i komunës”, thuhet në përgjigjen e shoqatës për Shqip.com.

Ligji për përzgjedhjen e Këshillit Drejtues të Teatrit

Sipas shoqatës, anëtarët janë me përgatitje profesionale nga fusha të ndryshme të artit e kulturës, përkatësisht piktor, klarinetist dhe gjuhëtarë, por jo nga teatri.

“Ne kemi kërkuar që ata të jenë në përputhje me frymën e punës në teatër për shkak se duhet të kuptojmë se teatri është fushë e gjerë ku përfshihet teatri i dramës, teatri i operës, teatri i baletit, teatri i kukullave, teatri i cirkut, e teatri për fëmijë”, shtuan tutje ata.

Sipas shoqatës, Teatri i Gjakovës është teatër i dramës, veprimtaria e të cilit është vet përgatitja dhe shfaqja e veprave dramatike nga të gjitha zhanret e dramaturgjisë, por që sipas tyre këtë më së miri e vërteton edhe ansambli artistik i cili përbehet vetëm nga aktorë dhe jo nga balerinë apo këngëtarë.

“Pra është shume e rëndësishme qe te kuptohet specifika e punës ne teatrin tonë dhe në përputhje me këtë të emërohen edhe kandidatët që e njohin këtë punë nga afër dhe që kanë përgatitje profesionale nga kjo fushë e teatrit”, u tha tutje nga Shoqata.

Përkundrazi kësaj, anëtarët e Shoqatës Sindikale të Teatrit, përveç reagimit publik në faqen zyrtare e në media, ata thonë se kanë kontaktuar direkt edhe me kryetarin e komunës, mirëpo i njëjti nuk ka dhënë shpresë që përzgjedhja të rishqyrtohet.

“Ne kemi reaguar si shoqatë sindikale dhe gjithashtu kemi pasur takim edhe me kryetarin i cili është shprehur se vendimi është përfundimtar dhe nuk do të ketë ndryshime në këtë pikë”, u shprehën ata.

Ndër të tjera Teatri i Gjakovës, tash e sa vite nuk ka ende udhëheqës artisik./Shqip.com