Lajme

Komuna e Deçanit nën hetime për pronat e Manastirit

Manastiri i Deçanit
Manastiri i Deçanit

Prokuroria Themelore e Pejës ka nisur hetime ndaj Komunës së Deçanit për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës – të vitit 2016 – përmes të cilit, Manastirit të Deçanit i njihet pronësia edhe mbi 24 hektarë tokë raporton Radio Evropa e Lirë.

Kjo është konfirmuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj.

“Po, hetimet i kemi filluar. Procedura është te ne, kaq mund të them tani. Janë duke u marrë disa veprime në këtë drejtim”, ka thënë shkurtimisht Kurmehaj.

Nisja e hetimeve vjen gati nëntë muaj pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dërguar një letër kryeprokurorit të atëhershëm të shtetit, Aleksandër Lumezi, në të cilën është thënë se “i takon Prokurorisë së Shtetit të ndërmarrë veprime” për moszbatimin e aktgjykimeve, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit – i cili ndodhet rreth 100 kilometra në perëndim të Prishtinës – nuk zbatohet tash e gjashtë vjet nga organet komunale të Deçanit. Sipas tyre, ata 24 hektarë tokë u takojnë dy ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria”, që ndodhen në këtë komunë.

Në deklarime të ndryshme, zyrtarët e pushtetit qendror dhe lokal, përfshirë këtu kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, kanë thënë se Gjykata Kushtetuese, me vendimin e vitit 2016, ka legalizuar një vendim të vitit 1997 të ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, përmes të cilit, “toka i është falur Manastirit”.

Pas konfirmimit për nisje të hetimeve nga Prokuroria e Pejës, Radio Evropa e Lirë ka provuar disa herë të flasë me Ramosajn, por ai vazhdimisht ka thënë se është i zënë me takime./Shqip.com