Lajme

Kompromis në ASHAK – Kraja e Shiroka-Pula mbesin në pozitat që kanë qenë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK)
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (AShAK)

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka kërkuar falje në mbledhjen e sotme të ASHAK, lidhur me analizën “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, që e kishte publikuar në emër të akademisë, ndonësë s’e kishte pëlqimin e të gjithëve.

Pas kësaj, është vendosi që i njëjti të vazhdojë të jetë në krye të ASHAK.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar akademiku Isa Mustafa, i cili tha se ky vendim është marrë pas shumë diskutimeve.

“Z. Kraja pas shumë diskutimeve u arrit pajtimi të vazhdojë në pozitën e Kryetarit të ASHAK. Përkushtimi do të jetë në bashkëpunimin më të ngushtë dhe në implementimin e programit të Akademisë”, tha Mustafa.

Ndryshe, ditë më parë u raportua se akademikja Justina Shiroka-Pula ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në ASHAK.

Por, në mbledhjen e sotme, me kërkesë të shumicës së anëtarëve të Akademisë, ajo ka pranuar që të vazhdojë ta ushtrojë këtë pozitë.

“… me kërkesën e shumicës së anëtarëve të Kuvendit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në mbledhjen e sotme të Kuvendit, akademike Justina Shiroka Pula u pajtua të vazhdojë punën si nënkryetare e ASHAK”, kanë konfirmuar nga Akademia për Express.

Po ashtu, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka thënë se nuk ka kërkuar falje për të mbetur në fronin e akademisë gjatë mbledhjes së sotme të ASHAK-ut.

“Në mbledhjen e sotme të Kuvendit te Akademisë nuk kam kërkuar falje dhe as e ka kërkuar dikush prej meje një gjë te tille. Duke mos pasur bazë ligjore për të marrë në përgjegjësi kryetarin e Akademisë, u propozua një kompromis, për të cilin është shprehur qartë akademik Isa Mustafa: “Z Kraja pas shumë diskutimeve u arrit pajtimi të vazhdojë në pozitën e Kryetarit të ASHAK. Përkushtimi do të jetë në bashkëpunimin më të ngushtë dhe në implementimin e programit të Akademisë”. Ky është kompromisi. Deklaratat tjera janë spekulime pa asnjë peshë dhe vlerë”, thuhet në sqarimin e Krajës përmes një postimi në Facebook.

/Shqip.com