Ekonomi

Kompanitë kërkojnë pezullimin e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, pozita s’pajtohet

Ilustrim

Kompanitë kosovare që importojnë produkte ushqimore bazë kërkojnë pezullimin e Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Kjo me qëllim uljen e kostos së importit, që si rrjedhojë do të reflektonte direkt në çmimin e produkteve në treg.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa, thotë për Shqip.com se pezullimi për dy muaj do të ishte i mjaftueshëm.

“Mendoj se duhet të ndërhyjë dora e shtetit. Do të kishte qenë mirë që për dy muaj të largohet akciza në derivate dhe TVSH-ja të largohet në prodhimet esenciale. Në miell, vaj, qumësht, sheqer e kripë do të thotë produkte që janë të shportës së përditshme do të kishte qenë një ndihmesë shumë e madhe”, tha Mustafa.

Berat Mustafa – kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës

Ndërsa, shton se largimi i TVSH-së në këto produkte, nuk do të ishte “një barrë shumë e rëndë për Qeverinë”.

Pozita kundër largimit të TVSH-së

Ndryshe prej tyre, anëtari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Visar Korenica, si zgjidhje e sheh subvencionimin.

Sipas tij, norma e TVSH-së për këto produkte është mjaftë e ultë.

“Subvencionimi i çmimit të produkteve bazë do të ishte një masë e mirëseardhur për ta lehtësuar barrën e konsumatorëve në kohë krize. Norma e TVSH-së për produktet bazë është e ultë prej 8%.”, tha Korenica për Shqip.com.

Visar Korenica – LVV

Kurse propozon që Qeveria të bëjë kontroll të vazhdueshëm të çmimeve në treg për të parandaluar abuzimin.

“Ajo çka duhet të angazhohet qeveria është kontrolli i vazhdueshëm i çmimeve në treg me qëllim që të mos lejohet abuzimi me çmimet spekulative siç ndodhi me vajin dhe naftën”, përfundoi Korencia.

Çfarë ndërmori Kosova dhe shtetet e rajonit?

Ndryshe nga rajoni, Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë ndonjë masë deri tani si uljen e akcizës, TVSH-së apo pezullimi e eksportit të produkteve ushqimore bazë.

Shqip.com ka kërkuar përgjigje nga Qeveria nëse janë duke u trajtuar këto masa, por nuk janë deklaruar.

Kurse, me 9 mars mori vendim që deri me 31 maj, fermerëve dhe bujqve të iu subvencionohet nafta në vlerë prej rreth 5 milionë euro.

Subvencionimi do të bëhet me rreth 0.36 centë për litër naftë, të përllogaritur me hektarë të poseduar të tokës së punuar.

Shqipëria ka marrë vendim që të monitoroj çmimin e shitjes së naftës dhe derivate të saj.

Nga 12 deri në 15 mars çmimi i naftës dhe benzinës do të kushtojë 217 (1.79 euro) lekë, ndërsa çmimi i gazit 93 lekë (0.76 euro).

Ndërsa, ka ndarë 24 euro në muaj për pensionistët për tre muaj e ardhshëm. Si dhe ka larguar taksën për pagat deri ne 325 euro.

Në anën tjetër, Maqedonia e Veriut ka ulur akcizës dhe TVSH-në për karburante nga 18 në 10 për qind.

Për ushqimet bazë ka hequr TVSH-në, si dhe ka ndaluar për dhjetë ditë eksportin e disa prej tyre si: gruri, mielli, mistri e vajrat.

Vendim për pezullim të eksportit të këtyre produkteve ka marrë edhe Serbia. /Shqip.com