Lajme

Kompania në listë të zezë fiton kontratë pa përmbushur përiudhën e diskualifikimit, reagon KDI

Instituti Demokratik i Kosovës

Kompania e cila ndodhet në listën e zezë ka fituar kontratë përmes UNOPS, pa e përmbushur plotësisht përiudhën një vjeçare të diskualifikimit.

Kompania Interlab Sh. P. K, është futur në listën e zezë të operatorëve ekonomik më 1 shkurt të vitit 2021.

Mirëpo siç njofton KDI, kjo kompani pak ditë para se të bëhej një vit, më 13 janar 2022 ka fituar një kontratë në vlerë prej rreth 𝟯𝟱𝟬,𝟬𝟬𝟬 𝗱𝗼𝗹𝗹𝗮𝗿𝗲̈ nga UNOPS, organizatë kjo të cilën Qeveria e Kosovës e kontraktoi për të menaxhuar me blerje të disa produkteve dhe shërbimeve për të luftuar pandeminë Covid 19.

Ligji për Prokurim Publik, thotë se nëse një kompani gjatë procesit të tenderimit bën ndonjë falsifikim të dokumentacionit ose paraqet ndonjë deklaratë të rreme, atëherë mund të futet në Listë të Zezë për një periudhë maksimale prej 12 muajsh.

“Në rastin e Interlab SH.P.K, kërkesa për ta futur në listë të zezë ishte bërë nga SHSKUK, dhe e njëjta ishte aprovuar nga OSHP. Gjatë periudhës së diskualifikimit, kompania Interlab nuk ka pasur të drejtë që të ofertojë dhe të fitojë kontratë në aktivitete të prokurimit”, thuhet në njoftim.

Sipas KDI-së, gjatë vitit 2020, Kuvendi i Kosovës, ka miratuar disa kredi ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) i cili është pjesë e Bankës Botërore. Sipas marrëveshjes, prokurimi i disa produkteve mjekësore ka kaluar tek Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS).

Ndërkaq, për të menaxhuar me shërbimet e prokurimit në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova do t’i paguajë UNOPS-it një buxhet prej rreth një milion Euro.

“UNOPS realizon prokurimet duke zbatuar procedurat e saj të prokurimit dhe jo Ligjin për Prokurim Publik, përkundër që blen me para nga buxheti i Kosovës.”, thuhet tutje në njoftim.

Për këtë, KDI, ka ngritur shqetësimin që prokurimet të cilat realizohen përmes UNOPS duhet të përfillin rregullat dhe ligjet e Kosovës, sepse nëse në të kundërtën ato do mund të nxisin kompanitë e papërgjegjshme të tentojnë të marrin kontrata.