Lajme

Kompania gjermane pritet të hapë 200 vende pune në Kosovë

Pamje nga takimi i ministres Rozeta Hajdari me përfaqësuesit e kompanisë gjermane

Rozeta Hajdari, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e biznesit gjerman “MUNDA, MENTOR UND AUNDE”, të sapo regjistruar pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, si biznes i ri “Munda Kosova”.

Investimi i kompanisë “Munda” në Kosovë përveç 200 vendeve të reja të punës pritet të sjellë edhe përvoja në fushën e tekstileve teknike me njohuritë e teknologjisë së ndriçimit të bazuar në LED. Një teknologji e re kjo që krijon mundësi krejtësisht inovative.

Kompania “Munda” merret me zhvillimin dhe prodhimin e tapicerive dhe tekstileve për industrinë e automobileve.

Ministrja Hajdari i njoftoi përfaqësuesit e “Munda” për lehtësirat që i kanë ndërmarrë përmes plotësimit të legjislacionit që ndihmon qasjen e investitorëve në Kosovë.

Ndërsa përfaqësuesit e “Munda” u shprehën të kënaqur dhe njoftuan se gjatë viteve në vijim planifikojnë të zgjerojnë biznesin edhe më shumë me produkte tjera dhe të krijojnë partneritete me bizneset dhe ndërmarrësit vendorë të cilat do të kontribuojnë në transformimin e industrisë së Kosovës.

Pjesë e takimit ishin Peter Bolten, pronar i Aunde, Wildo Weyer, pronar i Mentor, Kai Mauxel, drejtor i Munda-së, dhe Kushtrim Grainca, menaxher i Industrisë Inxhinjerike.

/Shqip.com