Lajme Botë

Kompania amerikane paralajmëron shtrenjtimin e biletave

Kompania amerikane e fluturimeve  e njohur si “Delta” ka paralajmëruar rritjen e çmimit të biletave shkaku i çmimeve të larta të naftës.

Kjo kompani kryen fluturime në 52 shtete dhe numri i fluturimeve ditore është 5 mijë e 400.

Shefi i kompanisë Delta, Ed Bastian ka deklaruar se vendimi përfundimtar varet nga çmimet e kerozinës.

Bastian ka thënë se për fluturimet brenda Shteteve të Bashkuara, çmimi i biletave do të rritet për gati 25 dollarë në biletë, dhe për fluturimet ndërkombëtare çmimi do të jetë pak më i lartë se aq.

Çmimet e karburanteve kanë arritur në nivelin më të lartë në 14 vjetët e fundit, si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë.

Emirates, Japan Airlines dhe AirAsia janë në mesin e kompanive që kanë thënë se do të rrisin çmimin e biletave.

Para pandemisë – më 2019 – 200 milionë konsumatorë kanë udhëtuar me Deltan, duke e bërë kompaninë e dytë më të madhe në botë për nga numri i pasagjerëve.

Shumë kompani tentojnë të mbrojnë veten nga situata të tilla, duke siguruar karburantet paraprakisht.

Easy jet dhe British Airways, kanë thënë se kanë siguruar kerozinën për 60 për qind të nevojave të këtij viti. /Shqip.com