Ekonomi Biznes

Kompani amerikane interesohen për të investuar në Kosovë

Gjashtë kompani amerikane, disa prej të cilave kanë të shtrirë rrjetin e prodhimit në shumë shtete botërore, kanë shprehur interesimit për të investuar në sektorin energjetik.

Gjatë së premtes ata janë pritur nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Përfaqësuesja Speciale për Partneritete Botërore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Dorothy McAuliffe, është shprehur se siguria e energjisë, si dhe siguria kombëtare në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë, do të thotë siguri e energjisë dhe siguri kombëtare edhe për Shtetet e Bashkuara. Ajo ka shtuar që ky partneritet tash është më i rëndësishëm se kurrë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministrja Rizvanolli u ka prezantuar të pranishmëve projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë në Kosovë, dhe i ka siguruar të ftuarit që Kosova është e gatshme të luajë rol udhëheqës në rajon drejt sigurisë dhe tranzicionit energjetik. Kjo për të mundësuar diversifikimin dhe pavarësimin e sektorit në rajon nga burimet fosile të Rusisë, si dhe për të shtruar rrugën drejt energjisë së pastër. 

Kompanitë amerikane, përfshirë Honeywell, GE Power, Siemens Energy, Advent Technologies, Emerson Automation Solutions, si dhe Wethington International kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në Kosovë dhe për të kontribuar në planet e Kosovës për zhvillim të sektorit të energjisë. Përfaqësuesit e kompanive kanë prezantuar punën e tyre dhe teknologjitë të cilat ofrojnë, të cilat janë në linjë me Strategjinë e Energjisë, si dhe projektet kryesore të Qeverisë për këtë sektor. 

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë, të USAID-it, si dhe të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit. ​

/Shqip.com