Sport Shqiptar

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së kërkon reflektim urgjent nga MKRS për çështjen e licencimit

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të hënën ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar çështja e licencimit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Në njoftim thuhet se KE ka konstatuar se FFK-ja qysh më datën 9 shkurt të këtij viti i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni i MKRS-së, i cili po ashtu është njoftuar nga FIFA se statuti i federatës është në përputhje me atë të Shtëpisë Botërore të Futbollit.

“Në këtë mbledhje KE diskutoi për çështjen e licencimit të FFK-së dhe konstatoi se Federata qysh më 09.02.2023 i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret e kërkuara nga Komisioni i MKRS-së, e po ashtu edhe FIFA zyrtarisht e ka informuar Komisionin e MKRS-në, me kërkesë të tyre të fundit, se statuti i FFK-së është në plotni në përputhje me statutin e FIFA-s dhe nuk ka asnjë çështje të hapur të FFK-së pranë FIFA-s”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga FFK-ja. Po ashtu, KE u informua se edhe anëtarët e FFK-së/klubet, pjesa dërrmuese e tyre, mbi 50 për qind, i kanë plotësuar kriteret e kërkuara për licencim dhe i kanë dërguar të gjitha dokumentet tyre me datë 28.02.2023, si dhe të tjera klube vazhdojnë t’i dërgojnë dokumentet në vazhdimësi. “Prandaj, KE pret që Komisioni i MKRS-së të bëjë sa më parë licencimin e FFK-së dhe të klubeve sepse kjo zvarritje po reflekton në punën e përditshme të tyre dhe po ua pamundëson realizimin e të hyrave nga Ligji i Sponsorizimit. KE konkludoi se Komisioni i MKRS-së nuk ka asnjë arsye thelbësore që të mos e licencojë FFK-në, andaj edhe pret reflektim urgjent nga Komisioni i licencimit, në mënyrë që klubet të mos dëmtohen nga ky proces”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në këtë mbledhje u theksua edhe njëherë gatishmëria e FFK-së që t’i ndihmojë të gjitha klubet në kompletimin e dokumentacionit të kërkuar nga Komisioni i MKRS-së dhe t’i adresojë këto çështje pranë UEFA-s dhe organeve gjyqësore nëse është e nevojshme.

/Shqip.com