Lajme

Komisioni procedon propozim-vendimin e qeverisë për Bordin e AKP-së

Foto: EO

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, të mërkurën ka proceduar propozim-vendimin e qeverisë, për emërimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Nazmi Mikollovci, Suzana Dautaj, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini, kanë emrat e propozuar nga qeveria për anëtar të Bordit.

Kryetari i këtij Komisionit, Ferat Shala, pati kritika për kryesuesin e propozuar nga Qeveria, Nazmi Mikollovci, pasi sipas tij ka konflikt të interesit.

“Problemi esencial është që saktësisht kryesuesi i propozuar ka konflikt të madh interesi me pozicionin qe dëshiron ta marr nga Kuvendi. Kandidati i propozuar ka punuar 7 vjet në Trepçë, dmth në periudhën që është dëmtuar më së shumti Trepça”.

“Një pjesë të madhe të Trepçën sot menaxhon AKP-ja, unë nuk e di qysh ka me ia dal mos me u përfshi”.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se në këtë propozim-vendim nuk tregohet se sa do të zgjasë mandati i këtij bordi.

“Po më intereson të dij ky mandat sa është i gjatë, me mandat të plotë apo me çfarë e ka thënë qeveria. Pasi e dimë që kjo agjenci do të shuhet. Këtu nuk tregon sa do të zgjasë mandati. Më tepër është politike kjo.”

Ndërkohë, Mimoza Kusari-Lila nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se nuk është në kompetencat e qeverisë që ta përcaktojë mandatin e këtij Bordi.

Kritika për propozim-vendimin e qeverisë pati edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valenatina Bunjaku, sipas së cilës, Bordi i propozuar është “puro politik”.

Kritika adresoi për Lëvizjen Vetëvendosje duke e sugjeruar që të ndërroj emrin në “Vetëkapje”, pasi sipas saj kjo e fundit ka kapur shtetin./SHQIP.com