Ekonomi

Komisioni për Buxhet i rekomandon Konjufcës ta kthejë në pikën zero përzgjedhjen e Guvernatorit

Opozita për shkak të vonesës se mazhorancës është larguar nga mbledhja e e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku në rend dite është propozimi për guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës.

Por, pavarësisht kësaj, pesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur ta bëjnë kuorumin dhe të vazhdojnë këtë mbledhje.

Kryetari i këtij Komisioni, Armend Muja tha se do t’i kërkojnë kryetarit të Kuvendit që procesin e përzgjedhjes së Guvernatorit ta kthejnë në pikën zero.

“Bazuar në nenin 110 paragrafi 4 të rregullores së Kuvendit në rastin kur kandidaturat nuk i plotësojnë kushtet sipas Ligjit, Komisioni kërkon nga kryetari i Kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mospërmbushje të kushteve”, tha Muja.

Kundër këtij propozimi u shpreh edhe deputeti i VV-së, Eman Rrahmani. Ai tha se nuk ka arsye që ky proces të kthehet në pikën zero.

“E vetmja arsyeje është te përcaktimi i numrave që vijnë për votim në Kuvend. Mënyra si është zgjedh ai numër është eleminues dhe asnjë procedurë tjetër nuk është që mundemi me kthyer mbrapsht. Kjo është arsyeja e vetme që me kthyer mbrapsht këtë proces”, tha Rrahmani.

Kundër u shpreh edhe deputetja Duda Balje. Ajo kërkoi të di se cili kandidat nuk i ka plotësuar kushtet që ky proces të bëjë të kthehet në pikën zero.

Propozimi i votua me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndryshe, Bashkim Nurboja, kryetar i bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, e ka marrë përkohësisht postin e guvernatorit të kësaj banke.

Ky vendim është marrë nga Bordi i BQK-së, për shkak të pamundësisë për ta zgjedhur gurvenatorin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës, si dhe në mungesë të zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë.

Po ashtu, dy anëtarët joekzekutivë të Bordit të BQK-së, do të marrin përkohësisht postet e zëvendësguvernatorëve.

/Shqip.com