Lajme

Komisioni Parlamentar javën e ardhshme do flasë për rastin e Selman Hotit dhe kompaninë “Electra” – “masat do jenë të shpejta dhe efikase”

Komisioni për Ekonomi

Në Kuvendin e Kosovës thonë se nuk janë në dijeni për rastin “Electra”, personazh i së cilës është njëri nga anëtarët e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Selman Hoti, mirëpo do të diskutohet për të qysh në mbledhjen e radhës, që pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme.

Ndonëse nuk janë në dijeni se kompania – aksionar i të cilës është Hoti, është e kontraktuar nga KEDS për të kryer punime në terren, anëtarët e Komisionit për Ekonomi thonë se në momenti kur do të kenë informacione për këtë çështje, do të marrin masa.

Kështu është shprehur Kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, në hulumtimin e publikuar nga Shqip.com, ku tha se ka pasur edhe takime javët e fundit me anëtarët e bordit, por nuk kanë diskutuar për pjesën e KEDS.

“Rregullorja e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë i precizon mirë punët dhe detyrat që kanë anëtarët e Bordit, deri më tani nuk kemi pasur informacion nga asnjë institucion zyrtar për ndonjë problematikë ose konflikt të interesit. Nëse do të kemi, sigurisht që masat tona do të jenë të shpejta dhe efikase në raport me kërkesën për zbatim të ligjit”, tha ai.

As nënkryetarja e komisionit, Jeta Statovci nuk di gjë për veprimtarinë e Hotit.

Se Komisioni nuk di asgjë për rastin, e thonë edhe anëtarët e tjerë të tij, të cilët kanë paralajmëruar se do ta hapin si diskutim këtë çështje në mbledhjen e radhës që do të mbahet gjatë javës së tretë të tetorit.

“Të them të drejtën nuk jam dijeni për këtë gjë, besoj se nëse ka konflikt interesi atëherë me siguri se do të reagohet dhe do të ndërmerren masa të duhura. Mbledhja e radhës do të mbahet me gjasë gjatë javës që vjen, dhe aty do ta sqarojmë rastin në fjalë”, thotë për Shqip.com, Gramos Agusholli – anëtari i komisionit.

Një konfirmim i ngjashëm erdhi edhe nga tjetri anëtar, Pal Lekaj, i cili premtoi se në mbledhjen e ardhshme do të flasë për këtë dukuri që ai e quan të papranueshme për të.

“Nuk kam informacione për këtë, por ju premtoj që në mbledhjen e ardhshme do e ngriti këtë dukuri të papranueshme për mua si deputet dhe anëtar i Komisionit për Ekonomi”, tha ai për redaksinë.

Dokumentarin e plotë mund ta ndiqni këtu: