Lajme

Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi vendos të marrë masa ndaj mjekëve që nuk e respektojnë orarin e punës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Ministrisë së Shëndetësisë Rifat Latifi

Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur mbledhjen e dytë ku kanë marrë disa vendime.

Në këtë mbledhje, Kurti ka theksuar urgjencën e reformave të thella si dhe veprimeve të menjëhershme në përmirësimin e shërbimeve.

Anëtarët e Komisionit janë dakorduar për të marrë katër vendime:

1. Për të plotësuar nevojat e pacientëve në institucione publike shëndetësore, Kurti, javën që vjen, do të nënshkruajë Udhëzimin Administrativ për Licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj. Me këtë Udhëzim, do të lehtësohen procedurat e licencimit të profesionistëve të mërgatës, si dhe të atyre të trojeve shqiptare. Në afatshkurtër komplementariteti me profesionistë nga mërgata e rajoni do të plotësojë ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen. Teksa njëkohësisht institucionet punojnë me ritëm të shtuar për trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen.

2. Çdo orë kur mungon një profesionist shëndetësor gjatë orarit të tij të punës është jo vetëm një orë e vjedhur nga shteti, por edhe kërcënim ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve tanë. Andaj, për të siguruar respektimin e orarit të punës nga ana e punonjësve të institucioneve publike, sidomos atyre që janë të punësuar edhe në sektorin privat, Komisioni do të marrë masa për mbikëqyrje të shtuar ndaj të gjithë drejtuesve të njësive në sektorin publik që janë përgjegjës për kontrollin e mbarëvajtjes në punë të vartësve të tyre.

3. Komisioni kërkon në mënyrë urgjente rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit përmes Inspektoratit Shëndetësor dhe Inspektoratit Farmaceutik, në të gjithë sektorin shëndetësor, publik dhe privat, për të parandaluar e ndëshkuar shkeljet e detyrimeve ligjore që rezultojnë në dëmtim të pacientëve në shëndetin, integritetin apo dhe financat e tyre.

4. Brenda dy muajve do të miratohen aktet statutare dhe do të hapet rruga për konkursin i cili do ta bëjë QKUK-në me drejtor.

Formimin e këtij komisioni e kanë kritikuar partitë opozitare me ç’rast e konsideruan si “ministri nën hije”./Shqip.com