Lajme

Komisioni Evropian iu shkruan vendeve të BE-së: Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave

Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Këshill një dokument të detajuar teknik ku konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

Dokument do të jetë edhe bazë për diskutimin në grupin punues për vizat në Këshill më 13 tetor në Bruksel. Ai është dërguar si një rifreskim i të dhënave për të informuar vendet anëtare të BE-së dhe nuk është raport formal për implementimin e udhërrëfyesit pasi një raport i tillë ishte bërë më herët dhe nuk ka nevojë për një tjetër.

“Kosova ka vendosur një kornizë të fuqishme ligjore dhe operacionale për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’u përballur me rreziqet e sigurisë dhe ato nga migracioni. Kjo ishte konfirmuar edhe përmes raporteve vjetore të Komisionit në kuadër të paketës së zgjerimit”, thuhet në konkluzat e dokumentit që u është dërguar vendeve anëtare, raporton REL.

Në të njëjtin dokument konfirmohet se Kosova ka vazhduar të konsolidojë progresin në fushat kyçe të identifikuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

“Si rrjedhojë, baza për rekomandimin e Komisionit nga viti 2018 për të përjashtuar shtetasit e Kosovës nga kërkesa për viza për qëndrim të shkurtër, mbetet tërësisht e vlefshme”, konkludohet në fund të këtij raporti.

Sipas ekspertëve të Komisionit Evropian, Kosova në vitet e fundit ka forcuar kornizën ligjore dhe institucionale në fushat si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe migracionit, rendit publik dhe sigurisë, të drejtat themelore të lidhura me lirinë e lëvizjes, duke i afruar ato me standardet e BE-së.

Në raport konfirmohet se Ministria e Brendshme e Kosovës ka siguruar që të gjitha dokumentet e udhëtimit, pasaportat, janë biometrike dhe janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

/Shqip.com