Lajme

KOMF-i kërkon ashpërsimin e dënimeve ndaj kryerësve të veprave penale

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë, ka shprehur shqetësim për neglizhimin, mosveprimin e institucioneve dhe performancës, në parandalimin e situatave të sulmeve dhe abuzimeve seksuale ndaj fëmijëve.

Përmes njoftimin KOMF bënë thirrje për ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale.

Tutje, kërkon krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët.

“Ofrimin urgjent të trajtimit dhe mbrojtjes adekuate për të gjithë fëmijët, viktima të ngacmimit apo abuzimit seksual”.

Në komunikatë thuhet se këto vepra penale po ndodhin në ambientin familjarë, komunitet po ashtu, edhe në institucionet edukative.

“Sipas të dhënave nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës 34.4% e raportimeve të nxënësve tregojnë se në shkolla ka mësimdhënës që ngacmojnë seksualisht, përderisa në sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim nuk është raportuar asnjë rast i ngacmimit apo abuzimit seksual, në asnjë shkollë të Kosovës. Kjo tregon që sistemi i parandalimit dhe i raportimit brenda shkollave nuk është duke funksionuar.”, thuhet në njoftim.

KOMF bënë të ditur se viteve të fundit ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2021 janë shënuar 249 raste kundër integritetit seksual të fëmijëve.

KOMF është shprehur i hapur për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse, në përpjekjet e përbashkëta për të garantuar jetë të sigurt, të shëndetshme dhe dinjitoze për të gjithë fëmijët./Shqip.com