Lajme Botë

Kombet e Bashkuara për të Drejtat e Njeriut: Protestuesit po arrestohen arbitrarisht në Rusi

Protestuesit në Rusi

Kombet e Bashkuara për të Drejtat e Njeriut kanë reaguar rreth arrestimit të protestuesve rusë kundër luftës në Ukrainë.

Përmes një komunikate për shtyp, kanë theksuar se protestuesit po arrestohen arbitrarisht në Rusi dhe sipas raporteve deri tani janë arrestuar gjashtë mijë e 400 persona.

“Ne e kuptojmë se shumica dërrmuese lirohen brenda disa orësh pasi paguajnë një gjobë administrative, ndërsa disave u jepen dënime me burg që variojnë nga shtatë deri në 25 ditë sipas ligjeve të ndryshme. Ka gjithashtu raportime për përdorim të panevojshëm dhe të tepruar të forcës nga policia gjatë dhe pas arrestimeve”, thuhet në komunikatë.

Ndër tjerash, kanë bërë thirrje për lirimin e protestuesve pasi konsiderojnë se “arrestimi i njerëzve vetëm për ushtrimin e të drejtave të tyre të tubimit paqësor dhe lirisë së shprehjes përbën një privim arbitrar të lirisë”.

“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve në mënyrë arbitrare dhe që autoritetet të respektojnë detyrimet e tyre ndërkombëtare për të respektuar dhe garantuar të drejtat për lirinë e shprehjes dhe të tubimit paqësor”, përfundon komunikata./Shqip.com